Alushi: Besoj në kualifikimin e Kosovës në Evropian
Enis Alushi ka folur për pensionimin e tij nga Përfaqësuesja e Kosovës dhe gjasat për kualifikimin e “Dardanëve” në “Euro 2020”. Alushi, i cili luajti që nga ndeshja e parë miqësore nën ombrellën e FIFA-s kundër Haitit, ngritjen e jashtëzakonshme të Kosovës e vlerëson si diçka të pritur, duke pasur parasysh se është punuar shumë vjet për një gjë të tillë.
“Paraqitjet në dy ndeshjet e fundit (kundër Çekisë dhe Anglisë) kanë qenë shumë të mira dhe janë fryt i vazhdimësisë. Fitorja kundër çekëve ka qenë shumë e rëndësishme për ne, në mënyrë që të kemi gjasa ta arrijmë vendin e dytë në grup”, ka thënë fillimisht Alushi. “Edhe kundër Anglisë ka qenë një ndeshje e jashtëzakonshme dhe fakti se i kemi shënuar tre gola kundër një rivali më të lartë në botë dëshmon rritjen e kombëtares sonë. Besoj se do të kemi mundësi ta arrijmë vendin e dytë në grup nëse qëndrojmë me këtë nivel të mirë siç jemi aktualisht”, ka shtuar ai.
Ish-mesfushori i Kosovës para ndeshjes kundër Çekisë u përshëndet zyrtarisht nga futbolli i luajtur derisa për kontributin e dhënë u nderua nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi, me një çmim të veçantë, si dhe me një fanellë të Kombëtares. Alushi shprehet falënderues ndaj kryetarit Ademi për nderimin e bërë dhe është i kënaqur që lamtumirën nga futbolli i luajtur e bëri pikërisht në stadiumin “Fadil Vokrri” para tifozëve dardanë.
“Kur më ka ftuar federata për ndeshjen kundër Çekisë jam ndier shumë mirë. Ka qenë një gjest shumë i mirë nga presidenti Agim Ademi dhe drejtuesit e tjerë të federatës. Ata kanë treguar shumë respekt për mua. Ishte nder të jem edhe një herë afër federatës dhe afër ekipit kombëtar, por edhe emocion i madh ta përjetosh atë atmosferë madhështore. I falënderoj të gjithë ata që ma kanë dhënë mundësinë të përshëndetem zyrtarisht nga futbolli pikërisht në një ndeshje të tillë”, ka përfunduar Alushi.