‘Aman më shpëtoni…’, xhaxhai tregon 16 orët e tmerrit të Klement Çupit në rrënoja
Familjes Çupi, gëzimi i pritshëm për fejesën e djalit të vogël Micolit, iu kthye në tragjedi. Kelmenti kishte dy ditë që ishte kthyer për këtë gëzim nga Anglia, ku kishte emigruar prej disa vitesh dhe punonte për të siguruar jetesën.
“Njëri jetonte në Angli, tjetri shumicën në Greqi dhe Itali. Dy ditë përpara kishte ardhur Kelmenti, për një gëzim familjar, për të fejuar Micolin. Prisnim ditën kur ishte caktuar, ndodhi tragjedia dhe çdo gjë u ndërpre”.
Dy xhaxhallarët e tij, Adriatiku dhe Hamzai tregojnë bisedat me nipin në 16 orë, gjatë përpjekjeve heroike të grupeve të specializuara për ta shpëtuar nipin e tyre.
“Herën e fundit kam folur, 5 minuta para se me dhënë jetë. Thoshte më ndihmoni, ndihmë o xhaxhi, ndihmë më shpëtoni. Nuk arritëm dot. Nuk ishte mundësia, nuk e di, ishin shumë betone sipër, shumë gjëra… U munduan boll ata të ndërhyrjes greke dhe të Kosovës. U munduan boll, madje njëri nga Kosova bërtiste, Kel qëndro dhe pak, por nuk arritën dot ta shpëtonin”.
“Në momentin që kanë arritur tek i ndjeri, në momentin që kanë prerë traun ai ka dhënë jetë. Atëherë e lanë në moment aty, mbrapa kemi ndërhyrë e kanë filluar dhe e kanë nxjerrë, është nxjerrë në mëngjes”.
U tha që hëngri bukë, kërkoi cigare…
“Ne ia dhamë të gjitha. Kemi komunikuar, kanë komunikuar njerëzit, nipërit”.
Po çfarë u thoshte Keli?
“Aman më shpëtoni, jam gjallë, aman vetëm më shpëtoni. Ishte i bllokuar në të dy krahët, në këmbë dhe në mes. Jetën e humbi nga rrjedhja e gjakut nga këmba”./Shqip