Amanda Bennett pritet të emërohet në krye të Agjencisë Amerikane për Median Globale
Shtëpia e Bardhë njoftoi se planifikon të emërojë gazetaren që ka fituar çmimin Pulitzer dhe ish-drejtoren e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, në krye të Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM).“Jam e nderuar nga ky emërim”, tha zonja Bennett për Zërin e Amerikës të premten në mbrëmje.
“Nëse konfirmohem (marrë miratimin e Senatit), do të jem shumë krenare të punoj me të gjithë gazetarët e përkushtuar në USAGM-së, të cilët po bëjnë punë jetike e të vështirë në mbarë botën për të mbështetur dhe demonstruar vlerën e një shtypi të lirë”.Shefja e përkohshme e USAGM-së Kelu Chao, njoftoi emërimin të premten pasdite në një email drejtuar personelit të agjencisë së pavarur, e cila mbikëqyr pesë agjenci lajmesh: Zërin e Amerikës, Zyrën e Transmetimeve për Kubën, Radion Evropa e Lirë e Radion Azia e Lirë, Rrjetet e Transmetimeve në Lindjes së Mesme, si dhe Fondin e Teknologjisë së Hapur. “Ne presim me padurim konfirmimin e saj në Kongres dhe ardhjen e saj!”, tha Chao.
Presidenti Joe Biden njoftoi emërimin e zonjës Chao në postin e shefes së përkohshme të USAGM-së më 20 janar të këtij viti.Shtëpia e Bardhë nuk u përgjigj menjëherë kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.69 vjeçarja Bennett shërbeu në postin e drejtores së Zërit të Amerikës nga marsi i vitit 2016 deri në qershor të vitit 2020. Ajo dha dorëheqjen pasi Senati konfirmoi zotin Michael Pack, në postin e Shefit Ekzekutiv të Agjencisë Amerikane për Median Globale, e cila mbikëqyr Zërin e Amerikës. Ai u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump për të drejtuar këtë agjenci.
Mandati i PackNë letrën e saj të dorëheqjes, zonja Bennett shkruante se shpresonte se zoti Pack do ta mbante premtimin për të respektuar pavarësinë editoriale të gazetarëve të USAGM-së, e cila është e sanksionuar në Ligjin amerikan për Transmetimet Ndërkombëtare të vitit 1994. I ashtuquajturi “mur ndarës” ndalon zyrtarët e qeverisë amerikane të ndërhyjnë në raportimin e pavarur dhe objektiv të lajmeve, që është gur-themeli i punës së agjencisë.“Michael Pack u betua para Kongresit për të respektuar dhe zbatuar “murin ndarës” që garanton pavarësinë e Zërit të Amerikës, i cili luan rolin më të rëndësishëm në besimin e fortë që audienca në mbarë botën ka tek ne”, shkruante ajo. Kur zonja Bennett dha dorëheqjen, së bashku me zëvendësen e saj, Sandy Sugawara, ajo sqaroi gjithashtu se “shefi ekzekutiv i konfirmuar nga Senati, gëzon të drejtën të zëvendësojë e të zgjedhë njerëzit e tij në postet udhëheqëse të Zërit të Amerikës”. Mandati i trazuar shtatë-mujor i zotit Pack u shoqërua me ankesa nga sinjalizues të lidhura me keqmenaxhim të përmasave të mëdha, fletëthirrje për të dëshmuar në Kongres e urdhra të gjykatës që e ndalonin atë të ndërhynte në operacionet e njësive dhe të rrjeteve që ai mbikëqyrte. Që atëherë, Zyra për Llogaridhënie të Qeverisë ka rekomanduar që Kongresi “të shqyrtojë mundësinë e qartësimit të “murit ndarës” në ligj si dhe masave të tjera”.Nëse konfirmohet nga Kongresi, zonja Bennett do të trashëgonte disa çështje të debatueshme të periudhës kur zoti Pack ishte në krye të agjencisë, përfshirë një hetim nga tre ekspertë të pavarur që po shqyrtojnë akuzat e shumta të bëra nga anëtarët e stafit kundër drejtuesve të mëparshëm të agjencisë./VOA