Ambasada amerikane: Është koha të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, Gresa Caka – Nimani, qëndroi për vizitë zyrtare disaditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ndër të tjera pati takim me zv.ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-ve dhe Këshilltarin për çështje ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Bruce C. Swartz.
Pas kësaj vizite kanë reaguar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ku kanë kërkuar që të zbatohen të gjitha vendimet e Kushtetueses.
“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë së Kosovës është kruciale për demokracinë. Është koha që të implementohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të plotësohen vendet e lira në Gjykatë”, thuhet në reagim.
Kosovo’s independent justice institutions are critical to its democracy. It's time to implement all Kosovo Constitutional Court decisions and fill vacancies on the Court. 🇽🇰🇺🇸 https://t.co/Si7ZKNvNdc pic.twitter.com/3CA2Kj5Cbq
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) November 20, 2021
Të premten, më 19 nëntor 2021, kryetarja Caka-Nimani u takua në Uashington me Sëartz, ku pasi që i shprehu falënderimin për ndihmën e vazhdueshme që SHBA-të i kanë ofruar Kosovës dhe zhvillimit institucional të saj ndër vite, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, e njoftoi atë përkitazi me të arriturat dhe sfidat në gjyqësinë kushtetuese.
Të dyja palët në vazhdim shkëmbyen pikëpamjet e tyre lidhur me mekanizmat më efektiv për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe rëndësinë e konsolidimit të sundimit të së drejtës në çdo vend demokratik.
Gjatë qëndrimit në Uashington, sipas komunikatës për medie, kryetarja Caka – Nimani u takua edhe me zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), si dhe me përfaqësues të SHBA-ve në Komisionin e Venecias.