Ambasada Amerikane fton institucionet të ratifikojnë demarkacionin
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtiinë, përmes një deklarate, shprehë zhgënjimin me raportimin e komisionit të ri shtetëror për kufirin.
Sipas ambasadës, pohimet e këtij komisioni janë të pabazuara, çorientuese, dhe të gabueshme.
“Marrëveshja ekzistuese pasqyron një proces të saktë të përcaktimit të kufirit, të konfirmuar nga komisioni shtetëror i Kosovës dhe ekspertë të shumtë të njohur ndërkombëtarisht”, theksohet në deklaratë.
“Në vitin 2015 Departamenti i Shtetit konfirmoi se marrëveshja origjinale saktësisht pasqyronte vijën kufitare që ka ekzistuar mes Kosovës dhe Malit të Zi që nga viti 1974. Që nga atëherë nuk kanë dalë fakte që do ta vënin në dyshim atë vendim. Vënia në dyshim e marrëveshjes dhe zvarritja e procesit të ratifikimit kërcënojnë marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj dhe me BE-në, dhe e lënë Kosovën dhe qytetarët e saj të izoluar”, vijon deklarata e Ambasadës Amerikane.
“Tani është koha që institucionet e Kosovës të punojnë për të promovuar interesat e qytetarëve të Kosovës në këtë çështje. Ne nxisim politikanët e Kosovës që të shikojnë përtej interesave personale partiake dhe politikës partiake, dhe që të përqendrohen në nevojat e qytetarëve të tyre duke e ratifikuar marrëveshjen ekzistuese sa më shpejtë që është e mundur”, thuhet në këtë deklaratë.
Komisioni i ri shtetëror për kufirin ka marrë mandatin nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës që t’i bëj matjet e reja rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Qeveria Haradinaj dhe komisioni i ri pretendojnë se Marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin ishte e gabuar.