![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2018/08/sali-berisha1.jpg)
Ambasada amerikane i përgjigjet Berishës: Asnjë person “non grata” nuk do të falet
Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në “Twitter”, Ambasada e ShBA-së në Shqipëri ka njoftuar se asnjë nga ish-zyrtarët e shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh), në kuadër të luftës kundër korrupsionit nuk do të falet.
Në foton e postuar në “Twitter”, kjo ambasadë ka shkruar se nuk planifikon asnjë kthim vendimi për rastet e përcaktuara deri më tani nga Ligji 7031.
“Në rast se jeni kureshtarë: Numri i përcaktimeve të ligjit 7031 (c) është mbi 200. Numri i vendimeve të kthyera është 0. Numri i faljeve që po përgatiten për t’u bërë për personat e përcaktuar si të korruptuar është 0”, është thënë në postimin e ambasadës, duke lënë të kuptohet se vendimi për Sali Berishën nuk do të ndryshojë.
Në një përgjigje për “Zërin e Amerikës”, zëdhënësi i DASh-it, Ned Price, ka thënë se “Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara” ndaj ambasadores.
“Siç e ka udhëzuar Uashingtoni, ambasadorja Kim ka shpjeguar dhe zbatuar qartë politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosmërinë e Presidentit Biden për të mbajtur përgjegjës ata persona që përfshihen në korrupsion, ose minojnë demokracinë”, ka thënë Price.
Berisha e ka kundërshtuar si “të pabazuar në fakte dhe prova” vendimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për ta shpallur atë person “non-grata”, duke u thënë mbështetësve të tij se ky është një akt politik i marrë nën ndikimin e njerëzve të caktuar. Në kuvendin që mblodhi më 11 dhjetor, ai foli për “një ndërhyrje të pashembullt, brutale të diplomatëve dhe zyrtarëve nga një vend mik, ShBA-ja.
Berisha ka paditur Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në një gjykatë në Paris, ndërsa ka bërë disa herë thirrje që ai dhe DASh-it të tregojnë prova për akuzat e tyre se Berisha ka minuar demokracinë dhe se ka përdorur postet shtetërore për të pasuruar veten dhe familjen e tij.