Ambasada amerikane: KQZ-së t’i jepet kohë të numërojë votat
Ambasada amerikane në Prishtinë ka përgëzuar qytetarët e Kosovës, që në mënyrë paqësore, të dielën votuan për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Shtetet e Bashkuara thonë se tani duhet t’i jepet kohë dhe hapësirë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera, që të numërojnë votat.
“Inkurajuese të shohësh që shumë qytetarë të Kosovës votuan në mënyrë paqësore sot, pavarësisht motit dhe pandemisë. Tani është e rëndësishme që të jepet kohë dhe hapësirë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera të Kosovës që t’i numërojnë votat dhe të bëjnë punën e tyre”, është thënë në njoftimin e ambasadës amerikane në një postim në rrjetin social “Facebook”.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, dalja ishte mbi 46 për qind. Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin 1.794.862 qytetarë.