Ambasada Amerikane në Prishtinë shprehet kundër masës 100 për qind për mallrat serbe
Në ditën e njëjtë që ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott u shpreh kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksë 100 për qind për produktet nga Serbia, edhe përfaqësues të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë kanë dalë ashpër kundër këtij vendimi.
E ngarkuara me punë në këtë Ambasadë, Colleen Hyland, përmes rrjetit social “Twitter”, ka shkruar se kjo taksë nuk siguron normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve. “Rritja e tarifave për anëtarët e CEFTA-s është e barabartë me rritjen e dhimbjes për qytetarët e Kosovës, rritjen e tensioneve dhe rritjen e dëmit të reputacionit të Kosovës”, ka shkruar Hyland. “Udhëheqja strategjike, jo reagime emocionale, është e nevojshme për të siguruar të ardhmen evropiane të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka shtuar më tej ajo.
Kurse, sot gjatë ditës, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott, ka deklaruar se taksa e Kosovës 100 për qind për mallrat e Serbisë e të Bosnjë e Hercegovinës është diskriminuese.
Sipas tij, ajo që vlen për qytetarët shqiptarë në Kosovë, duhet të vlejë për pjesëtarët e bashkësive të tjera etnike. “Besoj se Kosova duhet të jetë shtet multietnik e demokratik”, ka thënë ai.