Ambasada amerikane në Tiranë e zhgënjyer me deklaratat e Ramës në Prishtinë
Ambasada amerikane në Tiranë është shprehur e zhgënjyer me deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama gjatë vizitës së tij në Kosovë për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
“Ambasada e ShBA-së ishte e zhgënjyer nga fjalimi i kryeministrit Rama për Kosovën dhe Shqipërinë me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane në “Twitter”.
Më tej në postimin e tyre thuhet se gjuha e pakujdesshme e përdorur në fjalimin e Ramës dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët e saj.
“Gjuha e pakujdesshme duke aluduar në unifikim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët. Ne bëjmë thirrje që të gjithë liderët të jenë fqinj të mirë dhe të heqin dorë nga gjuha përçarëse e të kaluarës”, përfundon postimi në “Twitter” i Ambasadës amerikane në Tiranë.