Ambasada amerikane për Dole: Shërbimi i tij të jetë frymëzim për gjeneratat e reja të amerikanëve dhe kosovarëve
Ambasada amerikane në Kosovë ka shkruar një postim pas lajmit për vdekjen e ish-senatorit, Robert “Bob” Dole.
Bob Dole, miku i madh i Kosovës, ka vdekur sot në mëngjes në moshën 98-vjeçare, gjatë kohës sa ishte në gjumë.
Vdekja e Dole u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole dhe familja e tij përmes një deklarate të dielën, teksa ambasada amerikane thotë se shërbimi i tij duhet të jetë si frymëzim për gjeneratat e reja amerikane dhe kosovare.
“Ndërsa sot mbajmë zi për humbjen e nëpunësit publik dhe senatorit të lartë të shtetit Bob Dole, kujtojmë kontributin e tij të pashoq në Kosovë dhe punën e tij për avancimin e lirive demokratike në mbarë botën. Shërbimi i tij le të jetë frymëzim për ne dhe gjeneratat e reja të amerikanëve dhe kosovarëve”, thuhet në postim.
Dole u angazhua herët në politikën amerikane për Kosovën dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit të pavarur. Për kontributin e tij, një bust i tij qëndron në kryeqytetin e Kosovës./Express