Ambasada Amerikane vlerëson punën e KEK-ut
Një delegacion i lartë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë në krye me Jessica Long, udhëheqëse e Sektorit Ekonomik dhe Politik dhe Lori Michaelson, udhëheqëse e Njësisë Ekonomike, kanë vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, ka informuar mysafiret për gjendjen aktuale në korporatë, rezultatet e arritura, si dhe sfidat dhe proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u, e me theks të veçantë për zhvillimet e fundit rreth zgjerimit të minierave të reja dhe procesin e shpronësimeve.
Gjithashtu edhe për kapacitetet prodhuese dhe strategjitë e KEK-ut në gjenerim të thëngjillit dhe prodhim të energjisë elektrike.
Gjatë vizitës në Termocentralet “Kosovën A” dhe “Kosova B” përfaqësueset e Ambasadës janë njoftuar me punët të cilat janë duke u bërë dhe rezultatet të cilat janë arritur në stabilitetin e prodhimit të energjisë përkundër vjetërsisë së termocentraleve.
“KEK-u në vazhdimësi ka performuar jashtëzakonisht mirë. Edhe krahasuar me statistikat e vitit 1985 kur kanë qenë të reja këto blloqe nuk kanë qenë me stabile se sa tani. Në atë kohë kur kanë filluar punën, sipas statistikave kanë pasur diku rreth 100 rënie të pa planifikuara, ndërsa sot në vitin 2018 numri i rënieve të paplanifikuar nuk shkon mbi 30”, ka thënë drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi.
Gjatë vizitës në miniera, Thaçi i ka njoftuar edhe me procesin e shpronësimeve, zgjerimin e mihjeve të reja dhe zhvendosjen.
“Sa i përket zhvendosjes, KEK-u ka zbatuar me përpikëri vendimin e qeverise dhe bazuar në Planin e Veprimit të Zhvendosjes kemi përfunduar me zhvendosje në zonën e pare e cila shtrihet në 52 hek. Kanë mbetur edhe një apo dy prona të pa shpronësuara si pasojë e disa kontesteve dhe ato shumë shpejt presim t’i përfundojmë. Po ashtu aktualisht, jemi në përfundim të regjistrimit të zonës se dytë e cila ka sipërfaqe prej 122 hektareshit”, ka potencuar Thaçi.
Nga ana tjetër, zyrtarët e delegacionit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë theksuan se siguria e energjisë është një problem i madh për Kosovën, që i kushton ekonomisë së Kosovës më shumë se 400 milionë dollarë në vit.
Ata vlerësuan përpjekjet e KEK-ut për të përmirësuar besueshmërinë e termocentraleve dhe për të siguruar furnizimin me thëngjill, dhe shtuan se marrëveshja e termocentralit Kosova e Re është një hap i madh në rrugën e vendit drejt sigurisë energjetike.
Duke falënderuar Long dhe Michaelson për interesimin e vazhdueshëm të Ambasadës Amerikane në Prishtinë për sektorin e energjisë në Kosovë, drejtori nenaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, ka potencuar se KEK-u, është duke përmbushur me përpikëri obligimet kontraktuale, si dhe është në përputhje të plotë me rregullat e tregut në fuqi.
/Epoka e re/