Ambasada amerikane zotohet për mbështetje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës
Ambasada amerikane në Kosovë ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë të përkushtuara në mbështetjen e viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Përmes një postimi në platformën “X”, me rastin e Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, kjo ambasadë ka bërë thirrje të “qëndrojmë së bashku për një botë pa dhunë dhe konflikte”.
“Këtë ditë ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, le të qëndrojmë së bashku për një botë pa dhunë dhe konflikte që u mundëson grave dhe vajzave të ushtrojnë të drejtat e tyre njerëzore dhe të përfaqësohen dhe të udhëheqin vendimmarrjen. Dhuna seksuale e lidhur me konfliktin nuk është një pasojë e pashmangshme e luftës – ajo mund dhe duhet të parandalohet. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur viktimat dhe të mbijetuarit e kësaj dhune”, është thënë në njoftimin e Ambasadësë së ShBA-së në Kosovë.