Ambasada britanike po ndjek nga afër zhvillimet politike në Kosovë
Ambasada britanike në Kosovë ka thënë se do të vazhdojë t’i ndjekë nga afër zhvillimet politike, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në një përgjigje dhënë “Radios Evropa e Lirë”, ambasada ka thënë se është në dijeni për ftesën e Haradinajt nga Gjykata Speciale mirëpo kjo është “çështje për Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe nuk do të ishte me vend të komentojmë më shumë në këtë kohë”.
Sa i përket mundësisë së organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, zëdhënësi i kësaj ambasade, Samuel Paice, ka vlerësuar se për këtë çështje duhet të vendosin institucionet e Kosovës.
“Kushtetuta e Kosovës qartëson procesin që duhet ndjekur në rastin e dorëheqjes së kryeministrit, dhe për shpalljen e zgjedhjeve te parakohshme. Në përputhje me këtë, kjo është çështje për të cilën duhet te vendosin institucionet e Kosovës”, është thënë ndër të tjera në përgjigjje.