
Ambasada e Gjermanisë: Mbyllja e institucioneve në veri, e lidhur me krijimin e Asociacionit
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se ekzistenca e institucioneve të financuara nga Serbia, ndër të tjera në fushën e arsimit dhe shëndetësisë është thellësisht e lidhur me krijimin e asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Mbylljen e institucioneve të tilla, ambasada gjermane ka thënë se e shohin të lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Ambasada gjermane beson fuqishëm se ekzistenca e institucioneve të financuara nga Serbia, ndër të tjera në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, është thellësisht e lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASMM)”.
“Kosova u zotua që në vitin 2013 të zbatojë ASMM-në, e cila do të sigurojë kornizën e duhur ligjore dhe institucionale për funksionimin efektiv të këtyre institucioneve. Në këtë drejtim, mbylljen e institucioneve të tilla e shohim të lidhur me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është thënë në përgjigjen e ambasadës për “RTV21”.
Po ashtu, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ka thënë se veprimet e fundit të qeverisë në veri të vendit nuk kontribuojnë për një konsensus tek vendet e BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Gjermania është përgjithësisht e mendimit se masat ekzistuese ndaj Kosovës duhet të hiqen. Megjithatë, heqja e këtyre masave kërkon një vendim unanim nga shtetet anëtare të BE-së dhe veprimet e fundit nuk kanë nxitur një atmosferë më pozitive ndaj Kosovës për të arritur një konsensus të tillë”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë.