Ambasada e Italisë për kërcënimet ndaj policëve serbë: Të papranueshme, të ndalen menjëherë
Ambasada e Italisë në Kosovë ka reaguar pas kërcënimeve ndaj policëve të rinj serbë që kanë filluar punën në Kosovë.
Në reagim e kësaj Ambasade thuhet se kërcënimet dhe frikësimet janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë.
Ambasada e Italisë e ka shpërndarë reagimin e shefit të EULEX-it në Kosovë i cili i ka quajtur të papranueshme këto kërcënime.
“Policët e rinj nga komunitetet jo shumicë të Kosovës meritojnë mbështetjen tonë të pakushtëzuar, veçanërisht nga qytetarët e komunave në të cilat janë caktuar. Kërcënimet dhe frikësimet janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Italisë në Twitter.
E shefi i EULEX-it në Kosovë Giovanni Pietro Barbano ka thënë se çdo lloj frikësimi është i papranueshëm.
“Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të sapodislokuar të Policisë së Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe përfaqëson tërë popullatën e Kosovës”, ka shkruar Barbano në Twitter.
Kërcënimet ndaj policëve të rinj nga komuniteti jo shumicë i kanë dënuar edhe diplomatë të tjerë.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Policia e Kosovës ekziston për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe se ajo duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës.
“Kërcënimet dhe frikësimet e individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve në Kosovë janë komplet të papranueshme. E kam thënë më parë, Policia e Kosovës eksiton për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet ta pasqyrojë diversitetin e Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde shtoi se policët e rinj të Kosovës nga komunitetet joshumicë duhet të kenë mbështetjen e të gjithëve, veçanërisht të komunave dhe qytetarëve ku janë caktuar.
“Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë. Policët e rinj nga komunitetet boshnjak, rom, serb dhe turk, meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”, ka thënë ambasadori gjerman.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se fushata kundër policëve serbë në rrjetet sociale, e cila synon t’i frikësojë dhe kërcënojë ata, është e papranueshme për Qeverinë e Kosovës.
“Ata sot janë pjestarë të Policisë së Kosovës, sepse janë profesionistë të guximshëm, sepse janë qytetarë që kanë dashuri për vendin dhe e shprehin këtë duke i kontribuar atij”.
“Ata që integrohen jetojnë më mirë, ata që nuk integrohen, fatëkeqësisht, mbeten peng e subjekt i trysnisë financiare, dhe keqpërdorimit politik nga Beogradi zyrtar”, theksoi Kurti.
Ai tha se institucionet e sigurisë do t’u ofrojnë mbështetje të plotë policëve të rinj.
Kërcënimet i dënoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët të dalin para drejtësisë. Ne qëndrojmë pranë policëve tanë, ndërsa ata shërbejnë me guxim për një ambient më të sigurt për të gjithë”, tha presidentja Osmani.
45 policë të komunitetit serb kanë nisur punën tashmë në stacionet policore në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.