Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi njofton se ende s’ka hy në fuqi vendimi për heqjen e vizave
Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi, ka njoftuar se ende nuk ka hyrë në fuqi marrëveshja për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Për datën e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, ambasada e jonë do të ju mbanë të informuar në kohë. Deri atëherë, qytetarët e vendit tonë, para se të nisen në Emiratet e Bashkuara Arabe, janë të obliguar që të pajisen me viza hyrëse”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed, për pranimin e propozimit të saj për heqjen e vizave për kosovarët.
“Falënderoj Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhërinë e Tij Mohamed Bin Zayed për pranimin e propozimit tim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Marrëveshja e arritur gjatë takimit tonë muajin e kaluar tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugë për më shumë mundësi bashkëpunimi midis vendeve tona dhe qytetarëve tanë”, tha Osmani.
Të martën është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Arabisë Saudite për lirim nga vizat për pasaportat diplomatike dhe ato zyrtare, njofton Albanian Post.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku kanë bërë të ditur se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është bërë nga zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti, me homologun e tij nga Arabia Saudite, Waleed Abdulkarim El Khereiji, me të cilin kanë pasur edhe një takim.
“Gjatë takimit me Zëvendësministrin për Punë të Jashtme, El Khereiji, u bisedua për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe kundër terrorizmit dhe për nisjen dhe finalizimin e marrëveshjeve në fushën e transportit, edukimit dhe sportit”, thuhej në njoftim.