Ambasada e Kosovës në Itali: Asnjë shtetas i Kosovës nuk është i prekur me koronavirus
Ambasada e Kosovës në Itali ka njoftuar se deri më tani nuk ka asnjë shtetas të Kosovës të prekur me koronavirusi.
Në njoftim thuhet se Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë së bashku me Konsullatën e Përgjithshme në Milano, janë duke e monitoruar dhe ndjekur me shumë vëmendje dhe kujdes emergjencën shëndetësore lidhur me përhapjen e Coronavirus – Covid 19 në Itali.
“Fatmirësisht, deri më sot nuk rezulton i prekur nga ky virus asnjë shtetas nga Kosova. U bëjmë thirrje shtetasve tanë me banim/qëndrim në Itali, se në rast nevoje mund të na kontaktojnë në çdo moment në numrat e emergjencës 24/7. Në koordinim me organet dhe institucionet tona dhe ato vendore italiane, mbetemi në gatishmëri të plotë të shtetasve tanë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Itali.
Ambasada ka njoftuar se për çdo eventualitet numri i emergjencave në Romë është: +393274526991; dhe ai i Konsullatës së Përgjithshme në Milano: +393472127662.
Në Itali nga ky virus janë prekur 153 persona dhe ka tri viktima.
/Epoka e re/