Ambasada e ShBA-së dënon sulmet ndaj Policisë së Kosovës

27 prill 2022 | 13:16

Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka dënuar sulmet në drejtim të Policisë së Kosovës në veriun e vendit, të ndodhura mëngjesin e së hënës. Të njëjtit kanë përsëritur thirrjet për distancim ndaj spekulimeve që rrisin tensionet.

Kështu ka bërë të ditur një zëdhënës i ambasadës amerikane në Kosovë për lajmi.net, duke thënë se ligj-zbatuesit janë përgjegjës për hulumtimin e situatës.

“Ambasada e ShBA-së është thellësisht e shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë dhe gurë të hedhur në drejtim të zyrtarëve kosovarë të zbatimit të ligjit pranë Zubin Potokut. Këto sulme ndodhën teksa autoritetet sovrane përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare. Ne e dënojmë fuqishëm këtë veprim të dhunshëm, të pajustifikueshëm. Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës. Ne jemi kundër spekulimeve që do të rrisnin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, deklaroi një zëdhënës i ambasadës për mediumin, duke potencuar se qëndrimi i tyre është i njëjtë me atë të javës së kaluar.

Kjo konsiderohet të jetë hera e gjashtë përbrenda dy jave që Policia e Kosovës po sulmohet nga persona të panjohur përgjatë patrullimit në zonën veriore të Kosovës. Përgjatë së hënës, patrulla kufitare në fshatin Zupçe të Zubin Potokut u sulmua me armë zjarri.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga Stacioni Policor në  Zubin Potok të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar është sulmuar me armë zjarri. Përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, bëri të ditur përgjatë ditës së djeshme me anë të një komunikate policia.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, pati bërë të ditur në detaje se si erdhën sulmet ndaj patrullave policore nga veriu. Ai madje, për njërën nga sulmet, tha se dyshohet të kenë ardhur nga territori i Serbisë.

“Sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë, saktësisht në vendin që quhet Pragovë, rreth orës 20:40 minuta, janë dëgjuar katër deri në pesë të shtëna me rafal të shkurta, diku rreth 30 fishekë që dyshohet se të shtënat kanë ardhur nga territori i Republikës së Serbisë. S’ka pas të lënduar, por vetëm dëme materiale. Gjuajtjet kanë ndodhur në distancë 200-300 metra afër patrullës, në fshatin Bube, ku para disa kohe e kemi bërë mbylljen e kësaj rruge ilegale”, deklaronte ai.

“Me datën 13 në magjistralen Mitrovicë-Zubin Potok, patrulla e policisë ka hasur në iriqë metalikë që shërbejnë për t’i dëmtuar gomat e automjeteve, 46 iriqë, në mes të rrugës që mundësonin bllokimin e rrugës dhe dëmtimin e gomave. Pra, ka rëndësi edhe koha kur ka ndodhur, në ora 8 të mbrëmjes kur bëhet ndërrimi i patrullave tonë në Bërnjak, e që lidhet me rrugët ilegale që i kemi mbyllur”, bënte të ditur më tej Mehmeti.

“Sulmi tjetër ndodhi ndaj policisë kufitare, në afërsi të Bërnjakut ku është sulmuar me gurë dhe është dëmtuar automjeti. S’ka pas të lënduar. Ndërsa, sot në mëngjes janë sulmuar drejtpërdrejt. Sulmi është kryer me granatë dore dhe pushkë AK-47. Të dy veturat e policisë janë dëmtuar. Falë gjindshmërisë dhe automjeteve të blinduara, s’kemi të lënduar”.

Sulmin kundër uniformave të kaltra e pati dënuar edhe Bashkimi Evropian, të cilët ishin në një linjë me ShBA-në, duke kërkuar që të shmangen spekulimet që çojnë në eskalim të situatës.

“U bëjmë thirrje të gjithëve të shmangin spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të kryhet nga organet përkatëse ligjzbatuese”, deklaronin në ‘Twitter’ nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Reagimet e BE-së dhe ShBA-së erdhën pas deklarimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në një konferencë për media tha se qëllimi i sulmeve ndaj policëve ishte vrasja.

“Iu takon organeve të rendit që të bëjnë edhe hetimet mbi ata që sulmuan, për të zbardhur rastin, por në anën tjetër edhe për të vlerësuar situatën e sigurisë se çka duhet të ndërmerret në vijim në mënyrë që të pamundësojmë sulme të tilla. Pra nuk janë sulme mbi të mirat materiale, nuk janë sulme e as mbi qytetarët, por janë sulme mbi policët dhe sulme që kanë pasur qëllim të vrasin”, deklaronte Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës mori vendim për ndarjen e 100 eurove…