Ambasada e ShBA-së dhuron pajisje mbrojtëse për nxënësit që do t’i nënshtrohen testit të maturës
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka pranuar të martën një donacion me pajisje mbrojtëse (maska dhe dezinfektues) nga Programi për Ndihmë Humanitare i Komandës Ushtarake Evropiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat do të përdoren për realizimin e testit të maturës.
Me këtë rast, ministri Ramë Likaj ka falënderuar Ambasadën Amerikane, e cila ka mundësuar një donacion të tillë për realizimin e një procesi të rëndësishëm për maturantët. Ministri Likaj ka përmendur bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e Ambasadës Amerikane në të gjitha fushat, por theksoi se një ndihmë e tillë është e mirëseardhur në këtë kohë të vështirë, kur po ballafaqohemi me pandeminë Covid-19.
Edhe përfaqësueset e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Majore Courtney Olson, shefe e Zyrës për Bashkëpunim në Mbrojtje dhe Deborah MacLean, zyrtare për marrëdhënie me publikun të cilat dorëzuan donacionin, u shprehen të lumtura që MASh-it i është mundësuar ky donacion, në mënyrë që mësimdhënësit dhe nxënësit të jenë të mbrojtur gjatë realizimit të testit të maturës.
Donacioni përmban 21 mijë maska mbrojtëse dhe 3 800 dezinfektues për duar, të cilat do të shpërndahen nëpër qendrat e testimit gjatë realizimit të Provimit të Maturës Shtetërore 2020.
(F.D / Epoka e re)