Ambasada e ShBA-së: Kosova dhe Serbia duhet të shikojnë nga e ardhmja
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë (ShBA) nëpërmjet një deklarate për medie ka përcjell porosi pas vizitës së të dërguarit special të presidentit amerikan për negociatat e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadorit Richard Grenell në Prishtinë dhe Beograd.
Sipas ambasadës së ShBA-së të dyja palët do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejtë duke shikuar nga e ardhmja.
Sipas kësaj deklarate, Administrata e presidentit Trump fuqimisht beson që zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë dhe rritja e mundësive tregtare luajnë rol kryesor në sigurimin e paqes së qëndrueshme.
“Qëllimi është për t’i bërë bashkë partnerët tanë në Serbi dhe Kosovë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për pikat e konfliktit në rajon. Të dyja palët do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejtë duke shikuar nga e ardhmja”, është theksuar në këtë deklaratë.
Deklarata e plotë e Ambasadës së ShBA-ve në Kosovë:
Deklaratë lidhur me takimet fillestare të të dërguarit special presidencial për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, ambasadorit Richard Grenell, në Prishtinë dhe Beograd
Në vizitën e tij të parë zyrtare Kosovës dhe Serbisë më 9-10 tetor, ambasadori Richard Grenell u takua në Prishtinë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, si dhe me udhëheqësit e partive politike, duke përfshirë Albin Kurtin, Isa Mustafën, Vjosa Osmanin, Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn, kurse në Beograd u takua me Presidentin a Serbisë, Aleksandar Vuçiqin dhe kryeministren Ana Bërnabiq.
Ambasadori Grenell i filloi të dy ditët duke u takuar së pari me udhëheqësit e komunitetit afarist.
Administrata e Presidentit Trump fuqimisht beson që zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë dhe rritja e mundësive tregtare luajnë rol kryesor në sigurimin e paqes së qëndrueshme.
Qëllimi është për t’i bërë bashkë partnerët tanë në Serbi dhe Kosovë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për pikat e konfliktit në rajon. Të dyja palët do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejtë duke shikuar nga e ardhmja.
/Epoka e re/