Ambasada e ShBA-së në Kosovë: Çdo person meriton të jetojë pa dhunë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë ka theksuar se bazuar në të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë gjatë pandemisë së Covid-19 ka pasur një rritje prej 17 për qind të rasteve të raportuara të dhunës me bazë gjinore me ngritje edhe më alarmante në zonat urbane.
Kjo ambasadë, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, ka thënë se çdo person meriton të jetojë pa dhunë.
“Çdo grua, çdo vajzë dhe çdo person meriton një jetë pa dhunë”, është thënë në reagimin e Ambasadës së ShBA-së.
Më tutje, kjo ambasadë i ka bërë thirrje qeverisë dhe shoqërisë civile të ndërmarrin masa në këtë drejtim.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në qeveri, sektorin privat dhe shoqërinë civile të marrin masa të menjëhershme për të mbrojtur të prekurit dhe të hetojnë dhe ndjekin penalisht të gjitha incidentet”, është thënë në këtë reagim.