Ambasada e ShBA-së për mbylljen e 9 degëve të Postës Serbe në veri: Të zhgënjyer me veprimet e njëanshme të qeverisë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur thellësisht e zhgënjyer me veprimet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të vendit.
Sipas ambasadës amerikane, këto veprime janë të njëanshme dhe të pakoordinuara, e të cilat sipas tyre, i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik të madh.
Reagimi i plotë i Ambasadës Amerikane:
Qeveria amerikane është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme, të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës ndaj degëve të postave serbe në veri të Kosovës.
Veprimet e pakoordinuara të Kosovës vënë në rrezik më të madh qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë pa qenë nevoja tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.
Ne i kërkojmë qeverisë së Kosovës të ndërpresë veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.