Ambasada e SHBA-së: Politika amerikane ndaj Serbisë nuk ka ndryshuar
Politika amerikane ndaj Serbisë nuk ka ndryshuar, ajo ka mbetur e njëjtë për shumë vite, i tha ambasada amerikane gazetës serbe Politika, kur u pyet nëse një raport i Pentagonit për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor mund të ndikojë në kursin e ardhshëm të Uashingtonit karshi Beogradit.
“Uashingtoni e kupton interesin e Serbisë për zhvillimin e marrëdhënieve pozitive me një gamë të gjerë partnerësh, dhe ne presim që edhe partnerët tjerë serbë të tregojnë respekt të ngjashëm dhe mbështetje për qëllimet strategjike të Serbisë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Në raportin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, i siguruar nga Radio Evropa e Lirë, thuhet se “ Marrëdhëniet dypalëshe ushtarake midis Serbisë dhe Rusisë kanë qenë të vogla përpara se Partia Përparimtare Serbe e presidentit Aleksandar Vuçiq të merrte pushtetin në Serbi në vitin 2012”.
Sipas raportit, Partia Përparimtare Serbe ka ndërmarrë hapa për të rritur marrëdhëniet e saj ushtarake me Rusinë, gjë që ka rezultuar me nënshkrimin e një marrëveshjeje zyrtare për bashkëpunim në mbrojtje, në nëntor të vitit 2013.
Por, ambasada amerikane në Beograd tha se ambasadori, Anthony Godfrey, kohët e fundit e ka sqaruar se është në interesin strategjik të SHBA-së që Serbia të zhvillohet si një shtet modern, demokratik, i prosperuar, në paqe me fqinjët e saj, duke demonstruar respekt të plotë për sundimin e ligjit dhe e përkushtuar të garantojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj.
Gazeta Politika raporton se ambasada amerikane ka thënë gjithashtu se SHBA-ja mbështet plotësisht “qëllimin e deklaruar të Serbisë për integrimin evropian”, dhe se ajo respekton politikën e Serbisë për neutralitetin ushtarak.