Ambasada gjermane: Nuk kemi bojkotuar pritjen shtetërore për Ditën e Çlirimit
Ambasada gjermane në Prishtinë tha se “nuk kemi bojkotuar” pritjen zyrtare të organizuar nga Presidenca dhe Kryeministria për Ditën e Çlirimit më 12 qershor.
Më 12 qershor ambasadorët e shteteve të Quint-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Italia, Franca dhe Britania e Madhe) nuk janë parë në ngjarjen e organizuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, për shënimin e 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Kurse mediet në Kosovë kanë raportuar se ambasadorët e shteteve të Quint-it e kanë bojkotuar këtë ngjarje.
“Ambasada gjermane ka pranuar ftesë për të marrë pjesë në këtë ngjarje dhe zyrtarisht në të është përfaqësuar nga zëvendëskreu i misionit, siç ka ndodhur në shumë raste”, kanë thënë për “Radion Evropa e Lirë” nga Ambasada gjermane në Prishtinë.
Megjithatë, kjo ambasadë nuk ka pranuar të japë detaje se pse ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, nuk mori pjesë në pritjen zyrtare.
“Radio Evropa e Lirë” ka dërguar pyetje edhe në ambasadat e tjera të vendeve të Quint-it, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Kjo mosmarrje pjesë e ambasadorëve të shteteve të Quint-it në këtë ngjarje, vjen në kohën kur bashkësia ndërkombëtare po i kërkon Qeverisë së Kosovës të qetësojë situatën në veriun e banuar me shumicë serbe. Deri më tani, ekzekutivi në Kosovë nuk i ka plotësuar kërkesat e partnerëve të tij ndërkombëtarë.
Atje, që nga 26 maji, tensionet janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, hynë në ndërtesat komunale, nën përcjelljen e policisë, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.
Që nga 29 maji, serbët lokalë po protestojnë vazhdimisht në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian i kanë paraqitur tri kërkesa kryeministrit Kurti: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Megjithatë, për t’u shpallur zgjedhjet e reja, ajo ka thënë se 20 për qind e personave në listën votuese në veri të Kosovës, duhet të nënshkruajnë një peticion me kërkesën që të mbahen votimet.