
Ambasada Zvicerane i dorëzon qeverisë platformën për punësimin e të rinjve
Në kuadër të bashkëpunimit të suksesshëm në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë Zvicerane është zhvilluar platforma për punësimin e garantuar për të rinj.
Kjo platformë është donacion i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe projektit EYE për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.
Për këtë qëllim, ministri Hekuran Murati priti në takim përfaqësuesin e Ambasadës Zvicerane, Christophe Favre dhe përfaqësuesit e projektit EYE, për të parë bashkërisht prezantim e platformës së punësimit.
Gjatë takimit, ministri Murati ka theksuar se punësimi është prioritet kyç i qeverisë, e këtë po e dëshmojmë përmes politikave që në qendër kanë punësimin e qëndrueshëm për të gjitha kategoritë.
Në anën e tij, Christophe Favre u shpreh entuziast për projektin në fjalë, dhe konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e Qeverisë zvicerane për nisma të tilla që synojnë zhvillimin ekonomik e ngritjen e mirëqenies sociale.
Platforma për skemën e punësimit të garantuar për të rinj do të lansohet së shpejti nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.