‘Ambasadorët dhe emisarët specialë diplomatikë përçojnë qëndrimet zyrtare të Uashingtonit’
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë sot ambasadorët dhe emisarët specialë diplomatikë përçojnë qëndrimet zyrtare të Uashingtonit dhe nuk i krijojnë ato.
Sipas tij, të konstatohet se ambasadorët apo emisarët diplomatik kanë qëndrime të ndryshme nga Uashingtoni zyrtar është injorancë e thellë.
“Qëndrimet politike amerikane mund të na pëlqejnë apo jo. Për më tepër këto qëndrime nuk hartohen nga ambasadorët apo emisarët specialë. Ata mund të ndihmojnë në hartimin e tyre, por mbi të gjitha ata i përçojnë ato. Sigurisht ngjyra dhe toni sesi ato plasohen mund të dallojnë nga një personalitet tek tjetri. Por konstatime të tilla se ambasadorët apo emisarët diplomatikë kanë qëndrime të ndryshme nga Uashingtoni zyrtar, mund ta dëgjohen këto vitet e fundit me të madhe në kuluaret politike dhe mediatike të Prishtinës dhe Tiranës. Njëjtë po ndodh këto ditë me qëndrimet e Gabriel Eskobarit. Kjo në rastin më të mirë është injorancë e thellë, e në rastin më të keq, sidomos kur vjen nga politikanë, analistë e ‘ekspertë’ është manipulim i pastër me opinionin publik. Nga kjo e fundit mund të fitojnë në planin afatshkurtër politikan të caktuar, po nuk fiton Kosova. Të vërtetën duhet ta shohim drejt në sy dhe të ballafaqohemi me të, e jo t’i iket asaj duke manipuluar me opinionin”, ka shkruar Murati në “Facebook”.