Ambasadorët: E ardhmja evropiane e Kosovës është proces i pakthyeshëm
Të gjitha shtetet evropiane e kanë të ardhmen e përbashkët, përfshirë edhe Kosovën, andaj vendi duhet ta lë pas të kaluarën dhe të fokusohet në ndërmarrjen e hapave konkretë për përshpejtimin e këtij procesi.
Këtë vlerësim e kanë bërë ambasadorët e mbledhur në tryezën e organizuar nga UBT-ja me temën “Strategjia e Zgjerimit: Bashkëpunimi rajonal si një faktor kyç për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor”.
Në hapje të kësaj tryeze rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se secili duhet të ketë obligim dhe përgjegjësi të ofrojë kontribut për ta përafruar vendin me Bashkimin Evropian.
Ndërsa ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanovic, ka thënë se procesi nëpër të cilin po kalon momentalisht Kosova është sfidues dhe se duhet bërë shumë punë dhe nevojitet angazhim më i madh politik që të arrihet deri tek rezultatet.
Sipas saj, në krijimin e reformave për integrim në BE, Kosova duhet ta ndjekë shembullin e Kroacisë.
Në anën tjetër shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ambasadorja Konstantina Athanassiadou ka potencuar se nuk duhet të lejohet që dallimet politike të turbullojnë vizionin e vendeve të Ballkanit për një të ardhme të përbashkët në BE.
Më tutje, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se vonimi i secilit proces integrues është veprim i dëmshëm jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet tjera.