Ambasadorët e BE-së miratojnë tekstin për liberalizimin e vizave për Kosovën
Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) gjatë takimit në Bruksel të martën kanë miratuar marrëveshjen e arritur më parë mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Për këtë ka njoftuar Presidenca çeke e Bashkimit Europian, duke thënë se ky vendim e çon Kosovën një hap para.
“Ambasadorët e BE-së miratuan tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën përpara miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së”, thuhet në njoftimin e Presidencës çeke.
Drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha, ka thënë se ky është hap i fundit për këtë vit dhe hap i cili mbyll procedurën teknike për liberalizimin e vizave.
“Në muajt e parë të vitit tjetër mbetet vetëm votimi formal në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe Këshillin për Punë të Brendshme”, ka shkruar Shasha në “Facebook”.