Ambasadorët Kosnett dhe O’Connell përkrahin vendimin e KShC-së
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë (ShBA), Philipp Kosnett, dhe ai i Britanisë se Madhe, Ruairi O’Connell, kanë dalë në mbrojtje të vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) për mosakordimin e disa universiteteve publike dhe private.
Sipas ambasadorit amerikan, vendimi i KShC-së ka qenë i vështirë por korrekt.
“Është roli i saj që të marrë vendime objektive dhe të bazuara në standarde, për t’ju siguruar studentëve të Kosovës arsimin cilësor që e meritojnë”, ka shkruar Kosnett në një postim në llogarinë e vet “Twitter”, duke shtuar se Kosova ka nevojë për një sistem edukimi, të bazuar në merita për të gjithë. “Universitetet ekzistojnë për t’i edukuar studentët për përfitimet e tyre dhe të shoqërisë dhe jo për t`iu siguruar punë individëve të pakualifikuar”, ka vlerësuar ai.
Ndërsa, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka deklaruar se të rinjtë e Kosovës meritojnë një edukim të mirë që njihet ndërkombëtarisht.
“Institucionet e pavarura duhet të lejohen të veprojnë në mënyrë të pavarur pa ndërhyrje politike. Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për tërheqjen e akreditimit është një vendim i vështirë. Por universitetet duhet të plotësojnë disa kritere, veçanërisht nëse duan që vendet e tjera evropiane të njohin diplomat e tyre. Nëse universitetet kanë dështuar, pavarësisht paralajmërimeve, për të përmbushur kërkesat minimale të cilësisë, është faji i tyre, jo faji i Këshillit”, ka shkruar O’Connelli në profilin e vet në “Facebook”, duke shtuar se shteti i tij ka ndihmuar shumë Kosovën në këtë drejtim.
“Qeveria britanike dhe Këshilli Britanik i Akreditimit janë përpjekur të ndihmojnë universitetet publike dhe private për të përmbushur kërkesat e cilësisë. Tani kjo çështje është një provë e vërtetë për Kosovën. Rezultati do të tregojë nëse sistemi arsimor i Kosovës është ndërtuar për t’u shërbyer qytetarëve të saj dhe interesit kombëtar, ose për t’i shërbyer një grupi të ngushtë njerëzish dhe interesash private”, është shprehur O’Connell.