Ambasadorët nuk mund të shkarkohen nga detyra pa pajtimin e presidentit Thaçi
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka propozuar sot tërheqjen nga misionet diplomatike për ambasadorët: Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu.
Ky propozim duhet të kalojë kah presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pasi Konjufca nuk ka fuqi ligjore dhe kushtetuese ta shkarkojë asnjë ambasador, por vetëm ta bëjë propozimin për shkarkim.
Të gjitha vendimet për rangun më të lartë diplomatik duhet të shkojnë përmes Zyrës së Presidentit.
Kushtetuta e Republikës i jep kompetenca ekzekutive Presidentit të Republikës kur janë në pyetje emërimet dhe shkarkimet e udhëheqësve të ambasadave.
Neni 84, pika 25 e Kushtetutës së Kosovës, ku flitet për kompetencat e Presidentit, thuhet: “Emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, me propozimin e Qeverisë”.