Ambasadori amerikan konfirmon mbështetjen për sektorin e arsimit
Specifika të rëndësishme për arsimin në Kosovë u diskutuan gjatë takimit që ministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zëvendësministri Dukagjin Pupovci, patën me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.
Ministrja Nagavci e ka njoftuar ambasadorin Kosnett për programin qeverisës, ku sipas saj, objekt strategjik i tij janë të gjitha fushat e arsimit në Kosovë.
Në këtë takim, u shpreh vullnet për bashkëpunim që nga vlerësimi formativ e deri te ndërlidhja e arsimit me tregun e punës, duke përmendur këtu inkuadrimin e ish bursistëve të mbështetur nga Qeveria Amerikane.
Ambasadori Kosnett ka theksuar se Qeveria Amerikane e mbështet zotimin e Qeverisë së Kosovës që në pozita të rëndësishme të vendosen persona të kualifikuar.
Po ashtu, Kosnett e ka cilësuar si të nevojshëm edhe krijimin e programeve për mësimin e gjuhëve të komuniteteve.
Në takim u diskutua edhe për funksionalizimin e Bordit të KSHC-së, ku Nagavci ka siguruar se procedura do të jetë transparente.
Ambasadori Kosnett në ketë takim është shprehur i gatshëm për bashkëpunim të afërt në të ardhmen në fushat që janë me rëndësi për zhvillimin e vendit.