Ambasadori amerikan konfirmon përkrahjen për Gjykatën Kushtetuese
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, ka pritur në takim njohës ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Philip Kosnett, të cilin fillimisht e ka uruar për detyrën e re.
Më tutje, Rama-Hajrizi e ka njoftuar ambasadorin Kosnett me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe me sfidat me të cilat është përballur ky institucion gjatë vitit që shkoi, veçanërisht në aspektin e funksionimit dhe të vendimmarrjes.
Ajo ka thënë se largimi i njëkohshëm i katër gjyqtarëve të gjeneratës së parë të emëruar në Gjykatën Kushtetuese dhe humbja e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje vitin e kaluar, ishin ndër sfidat kryesore të kësaj gjykate.
Rama-Hajrizi ka thënë se nga themelimi në vitin 2009, Gjykata Kushtetuese tek tani në përbërjen e saj ka vetëm gjyqtarë vendorë, me ç’rast ka shprehur falënderimin për kontributin dhe për punën e çmuar të gjyqtarëve të larguar ndërkombëtarë.
Gjatë këtij takimi, ajo diskutuar me ambasadorin amerikan edhe për zhvillimet e fundit në gjyqësinë kushtetuese të Kosovës, mundësitë e konsolidimit të mëtejmë të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, si dhe reformat e nevojshme legjislative në funksion të forcimit të sundimit ligjit.
Ndërsa, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, pasi ka konfirmuar përkrahjen e tij për pavarësinë në punën e Gjykatës Kushtetuese dhe ka shprehur zotimin për thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve mike, në të gjitha fushat me interes reciprok.
/Epoka e re/