Ambasadori amerikan konfirmon vizitën e Escobarit javën e ardhshme në Kosovë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se mezi pret që ta mirëpres në Kosovë përfaqësuesin special të Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar, i cili pritet të vijë javën e ardhshme.
Ambasadori Hovenier ka zbuluar se Escobar do të qëndrojë në Prishtinë pikërisht për të rikthyer në tavolinën e bisedimeve liderët e Kosovës dhe Serbisë.
Hovenier ka shkruar në llogarinë e vet në “Twitter” se progresi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet mënyra më e mirë që Kosova ta marrë vendin e saj të merituar si udhëheqëse botërore.
“Unë dhe ekipi im mezi presim që ta mirëpresim përfaqësuesin special, Escobar në Kosovë javën e ardhshme. Progresi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mbetet mënyra më e mirë për t’u siguruar që udhëheqësit e Kosovës të mund t’i mbajnë premtimet për qytetarët dhe që Kosova të njihet e ta marrë vendin e saj të merituar si udhëheqëse botërore”, ka shkruar ai.
My team & I look forward to welcoming Special Representative Escobar to Kosovo next week. Progress on the EU-facilitated Dialogue remains the best way to ensure Kosovo leaders can deliver for citizens & Kosovo is recognized & takes its rightful place as a world leader. https://t.co/38YnIcF7hL
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) January 26, 2022