Ambasadori amerikan: Kurti të veprojë siç duhet dhe ta pranojë planin trepikësh të BE-së

22 qershor 2023 | 14:20

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se pret që kryeministri Albin Kurti ta pranojë sot (e enjte) në Bruksel planin trepikësh të Bashkimit Evropian (BE) për deeskalim të situatës në veri, pasi sipas tij, kjo është mënyra e duhur për të ndalur tensionet.

“Është vështirë të them se çfarë presim, shpresa jonë është që të gjejmë një rrugë për përparim. BE-ja ka qenë e qartë dhe ShBA-ja e ka mbështetur pikëpamjen për planin tre-pikësh për të arritur deeaskalimmin në veri, të shkojmë në zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrje të serbëve dhe të vazhdojmë me implementimin e plotë nga të dy palët të marrëveshjeve që janë arritur. Shpresa jonë është që kështu të dalim nga kjo situatë”, ka thënë Hovenieri në një intervistë për “RTV21”, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën ka bërë me dije se ka biseduar për një numër problemesh, duke përfshirë situatën e tanishme në veri të Kosovës.

Hovenieri ka thënë se ekziston një zgjidhje afatshkurtër për deeskalim të situatës, që është plani trepikësh i BE-së.

Më tutje, ambasadori Hovenier ka thënë se të gjithë aleatët perëndimorë e kanë përkrahur planin trepikësh dhe se nga Kurti presin që ta pranojë këtë dhe të veprojë në mënyrë të duhur.

“Ai është kryeministër nga zgjedhje demokratike të vendit, dhe ai ka përgjegjësi në atë drejtim. ShBA-ja, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë në NATO dhe shumë të tjerë i kanë shprehur Kurtit pritjet tona se si ai do e menaxhojë situatën në veri. Siç e përmenda, ne të gjithë po e mbështetim planin trepikësh të BE-së dhe shpresa jonë është që ai ta pranojë këtë dhe të veprojë në mënyrë të duhur”, ka thënë Hovenieri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pritet të takohen në Bruksel, ndonëse ky i fundit ka thënë se nuk do të takohet me Kurtin, por vetëm me zyrtarët e BE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Max Verstappen po dominon botërorin e Formula 1 me makinën…