Ambasadori amerikan lëvdon FSK-në që s’u provokua nga sulmet e 24 shtatorit
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë mbajtur konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2023”.
Në këtë konferencë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara e mbështesin transformimin 10-vjeçar të FSK-së në ushtri.
Më tutje, ai ka lëvduar FSK-në duke thënë se ka treguar pjekuri profesionale që nuk është provokuar nga sulmet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Dua ta përmend se gjatë sulmit të 24 shtatorit në sovranitetin e Kosovës nga një grup i armatosur paramilitar, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrja e Mbrojtjes kanë demonstruar pjekurinë profesionale dhe durimin e tyre duke lartësuar reputacionin e tyre si partner të besueshëm duke shmangur provokimet që kanë mundur të rezultojnë në përshkallëzim të mëtejmë”.
“Asgjë nuk do të ishte më problematike në përpjekjet tona të vazhdueshme për të punuar së bashku që ta ndihmojmë FSK-në dhe ta shohim këtë proces të përfunduar me sukses”, ka thënë Hovenieri.