Ambasadori amerikan: Marrëveshja e Ohrit nuk nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia

01 shkurt 2024 | 14:41

Marrëveshja e Ohrit nuk nënkupton njohje, por normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka thënë ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill.

Në një intervistë për “Bujanovacke”, Hilli ka thënë se Serbia e ka përmbushur një pjesë të mirë të kësaj marrëveshjeje dhe më e rëndësishmja që mbetet është gjetja e rrugës për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, ai ka theksuar se Serbia ka të drejtë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Në Kosovë e shohin Asociacionin si një lloj Republika Srpska siç është në Bosnje dhe Hercegovinë, por Asociacioni nuk ka ngjashmëri me Bosnje-Hercegovinën. Megjithatë, të gjithë kanë të drejtën e mendimit të tyre, por jo të shtrembërojnë faktet. Serbia dhe serbët në Kosovë së pari duhet të kujdesen për arsimin dhe shëndetin dhe përmes Asociacionin kanë të drejtë për këtë”, ka thënë Hilli.

Ai ka thënë se kuptimi i marrëveshjes së Ohrit është “normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Që njerëzit duke kaluar nëpër pikat kufitare nuk mendojnë për politikë, por për të rritur cilësinë e jetës së tyre”, ka thënë Hilli.

Ai ka thënë se beson në normalizim sepse, siç ka theksuar “çdo gjë është e mundur”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FShF), Armand Duka ka…