Ambasadori amerikan mban konferencë për medie sot në 15:00
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, do të mbajë sot (e enjte) një adresim për medie në orën 15:00.
Konferenca do të mbahet para ambasadës amerikane në Prishtinë.
Hovenieri ka thënë se ShBA kërkon nga Kosova shtyrjen e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që përjashton dinarin nga përdorimi dhe që të ketë komunikim të mjaftueshëm për qytetarët që preken nga ky vendim.
Një paralajmërim i ashpër për këtë çështje erdhi nga ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, i cili i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të tërhiqet nga vendimi për dinarin dhe tha se mund të mos e konsiderojnë këtë qeveri si partnere.
“Ai (kryeministri Kurti) kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, kishte thënë ai për “Zërin e Amerikës”.
Zyrtari amerikan kishte se kishte pasur disa kontakte me kryeministrin Kurti para shpalljes së vendimit dhe vetëm një shkëmbim të shkurtër pas shpalljes së tij.