Ambasadori amerikan në Beograd: Taksa duhet të hiqet për të vazhduar dialogu

08 korrik 2019 | 16:14

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Beograd, Kyle Scott, ka thënë se taksa që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia, është pengesë për vazhdimin e dialogut për normalizim marrëdhëniesh në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne i kemi thënë qartë Qeverisë së Kosovës se mendojmë se taksa duhet të hiqet, në mënyrë që të vazhdojnë bisedimet”, ka thënë Scotti, transmeton Shërbimi i Ballkanit i “Radios Evropa e Lirë”.

Në një ngjarje në Beograd, ai ka thënë se ShBA-ja “e njeh ende udhëheqjen e Bashkimit Evropian në procesin e negociatave” dhe se “është e rëndësishme që të dyja palët të kthehen në tryezën e negociatave”.

Dialogu është ndërprerë prejse Kosova u ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se dialogu nuk do të vazhdojë derisa kjo taksë mbetet në fuqi.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se taksa do të zbatohet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.

Thirrje për heqjen e taksës, Qeverisë së Kosovës i kanë bërë edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, edhe të ShBA-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, do të marrë pjesë në…