Ambasadori amerikan në Kosovë: Duhet punë sistematike për ta luftuar dhunën në familje

18 maj 2022 | 13:47

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se institucionet në Kosovë duhet të bëjnë më shumë për të siguruar parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje brenda vendit.

“Testi i çdo demokracie është mënyra se si trajtohen njerëzit më të pambrojtur”, ka thënë ambasadori Hovenier gjatë një diskutimi të organizuar nga Lëvizja FOL, ku është prezantuar raporti statistikor në lidhje me trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Hovenieri ka përmendur rastin e vrasjes së 18-vjeçares, Marigona Osmani, në gusht të vitit 2021 në Ferizaj. Për këtë rast ende nuk është marrë ndonjë vendim i gjykatës për të dyshuarit e arrestuar.

“Qytetarët meritojnë më mirë. Institucionet duhet të sigurohen që nuk dështojnë për qytetarët e tjerë, sidomos ata të pambrojtur”, ka thënë Hovenieri.

Raporti i publikuar nga Lëvizja FOL për vitin 2021 ka treguar se në shtatë prokuroritë në Kosovë është arritur të zgjidhen 63 për qind e të gjitha lëndëve, sa i përket rasteve të dhunës në familje.

Në anën tjetër, shtatë gjykatat themelore të Kosovës gjatë vitit 2021 kanë arritur të zgjidhin 895 lëndë, apo 68 për qind të të gjitha lëndëve të dhunës në familje që i kanë pasur në punë.

Ndonëse, shifrat tregojnë se më shumë se gjysma e lëndëve janë zgjidhur, sipas drejtoreshës së Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, kjo nuk është e mjaftueshme.

“Ky fakt nuk është i mjaftueshëm për të treguar vendosmërinë dhe seriozitetin e organeve të sistemit të drejtësisë ndaj këtij fenomeni kaq të përhapur në shoqërinë tonë”, ka thënë ajo.

Në këtë organizim ka folur edhe ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu. Ajo ka përmendur si të arritur të qeverisë miratimin e Strategjisë kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave.

“Është përgjegjësi institucionale që t’i mbështesim dhe t’i mbrojmë vajzat dhe gratë në vendin tonë”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, duhet bërë më shumë në vetëdijësimin e shoqërisë se dhuna në familje nuk “është çështje private”, por duhet të trajtohet te organet e rendit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka bërë me dije se ka pranuar…