Ambasadori amerikan në Serbi: ShBA-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin për Kosovën
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Serbi, Kyle Scott, duke folur për zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen e Kosovës e ku përmendet edhe qëndrimi i Amerikës ndaj procesit të dialogut, ka thënë se Uashingtoni është gati të ndihmojë të dy palët, por për një marrëveshje të mundshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të deklarohet vetëm atëherë kur do ta shohë atë.
Ai ka thënë se nuk pret që administrata e presidentit Donald Trump të ndryshojë në mënyrë drastike qëndrimin e Uashingtonit lidhur me statusin e Kosovës.
Në një intervistë për “Radio Beogradin”, siç ka transmetuar “Tanjugu”, Scott ka theksuar se interesat amerikane nuk ndryshojnë nga presidenti në president dhe se qëllimi i ShBA-së mbetet paqja dhe stabiliteti në Ballkan, si dhe transformimi drejt demokracisë dhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike.
Sipas tij, ShBA-ja vlerëson se pa normalizimin e marrëdhënieve dhe marrëveshjes afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka stabilitet dhe përparim në Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu ambasadori amerikan, ka thënë se zgjidhja e problemit të Kosovës kërkon udhëheqës të guximshëm dhe gatishmëri për zgjidhje kreative.