Ambasadori amerikan përkrah ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se është i lumtur që Qeveria e Kosovës ka përzgjedhur ofertuesin e preferuar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
“Krenar të shoh që një kompani lidere amerikane është e përfshirë në ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’. Kjo shënon një hap kyç për një projekt që ne besojmë se është jetësor për sigurinë afatgjate për energji për Kosovën. Urime të gjithëve”, ka shkruar në “Twitter” ambasadori Kosnett.
Ky projekt është paraparë të ketë vlerën 1.3 miliard dollarë. Financimi pritet të bëhet në bashkëpunim me kompaninë me bazë në Londër, Contour Global dhe një konzorciumi të një prej filialeve të General Electric me bazë në ShBA, për të ndërtuar dhe pajisur një termocentral me qymyr me fuqi prej 500 megavat në Kosovë.
Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm për ekonominë e Republikës së Kosovës dhe do ta përfaqësojë investimin e drejtpërdrejtë të huaj më të madh të bërë ndonjëherë në vend. Termocentrali do ta furnizojë ngarkesën bazë energjetike tejet të nevojshme me çmimin më të lirë të mundshëm dhe në mënyrë të besueshme për ta përmbushur kërkesën në rritje për energji elektrike në Kosovë në mënyrë të pavarur, pa u mbështetur në import.
Gjatë dekadës së fundit Republika e Kosovës ka importuar energji elektrike në vlerë mbi 500 milionë euro. Duke përdorur teknologjinë më të fundit dhe burimet e bollshme vendore të lëndës djegëse, “Kosova e Re” do të jetë një nga termocentralet më bashkëkohore me qymyr në botë. “Kosova e Re” do të jetë instrumentale për rritjen e cilësisë së jetës së njerëzve. Termocentrali do të rezultojë me përmirësimin e konsiderueshëm të cilësisë së ajrit duke reduktuar emetimet e ndotësve kryesorë dhe do të kontribuojë në përmirësimin e shëndetit të njerëzve që jetojnë dhe punojnë në rajon.
/Epoka e re/