Ambasadori amerikan: Sektori privat luan rol të rëndësishëm në fuqizimin ekonomik
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka marrë pjesë në Gala Darkën e Bamirësisë të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Hovenier ka falënderuar Odën Ekonomike Amerikane për mbledhje të fondeve për kauza të vlefshme. Ai ka thënë se ngjarjet si këto demonstrojnë rëndësinë e përgjegjësisë sociale të korporatave.
Ambasadori Hovenier ka thënë më tej se pjesëtarët e sektorit privat të Kosovës luajnë rol të rëndësishëm në adresimin e tri sfidave të ndryshme: diversifikimin e energjisë, fuqizimin ekonomik për të gjithë dhe sundimin e ligjit.
Duke folur për diversifikimin e energjisë, ambasadori Hovenier ka theksuar se termocentralet e vjetra të Kosovës kanë ndikim të rëndësishëm në parashikueshmërinë e furnizimit me energji, në shëndetin e qytetarëve, dhe në tërheqjen e investitorëve potencialë.
Ambasadori Hovenier ka theksuar rëndësinë e fuqizimit gjithëpërfshirës ekonomik, duke nënvizuar se 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës gjinore.
Hovenier ka theksuar se kur gratë gëzojnë mundësitë e barabarta të garimit në biznes, atëherë ato performojnë shumë mirë.
Ambasadori amerikan ka thënë se shoqëria përfiton nga diversiteti më i madh në qeveri, institucionet shoqërore dhe komunitetet e biznesit.
Ambasadori Hovenier ka kërkuar nga Oda Amerikane të luajë rol udhëheqës në shoqërinë e Kosovës për të mundësuar eliminimin e barrierave në zhvillimin profesional, dhe heqjen e pengesave me bazë gjinore ndaj njerëzve, ashtu që të gjithë të jemi kampionë të sigurimit të një mjedisi të barabartë
Ambasadori amerikan ka mirëpritur përpjekjet e Kosovës për luftimin e korrupsionit, duke shtuar se Qeveria e SHBA-së është e përfshirë në përkrahjen e këtyre përpjekjeve, duke përfshirë edhe rolin aktiv të USAID-it në themelimin e gjykatës komerciale.
Në fund, ambasadori Hovenier ka falënderuar bizneset për ndihmën në avancimin e vizionit të përbashkët për një Kosovë sovrane, të pavarur, të suksesshme dhe prosperuese, duke theksuar se ky është mision i përbashkët i Ambasadës së SHBA-së dhe i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.