Ambasadori amerikan: Të përshpejtohet dialogu, toni në mes të palëve nuk është i mirë
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka vlerësuar se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përshpejtohet dhe çështja “kosovaro-serbe” duhet të zgjidhet.
Hilli ka thënë se kjo është një nga çështjet më të rëndësishme në rajon, të cilës duhet t’i jepet një zgjidhje.
“Është një nga çështjet më të rëndësishme në rajon që duhet zgjidhur. Është një pyetje e vështirë dhe toni mes dy palëve nuk është i mirë. Dialogu duhet të përshpejtohet”, ka thënë Hilli.
Ambasadori amerikan, i cili ka marrë pjesë në konferencën: “Sfidat e sigurisë rajonale dhe ngjarjet e fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë se ai ka pikëpamjen e tij se si duhet të bëhen këto gjëra, por se ai me të vërtetë i respekton njerëzit që udhëheqin procesin.
“Josep Borrell, Miroslav Lajçak, njeriu ynë Escobar, japin gjithçka që munden, por është një pyetje shumë e vështirë që lidhet me historinë, me luftën. Nuk është e lehtë, por duhet ta bëjnë”, ka thënë ambasadori amerikan në Serbi.
Ai ka vlerësuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe njohja e dokumenteve të Kosovës janë çështjet kryesore të hapura në atë proces, por përkundër vështirësive të dukshme në dialog, ai thotë se është optimist sepse “të paktën ka bisedime në mes të palëve.
Më tutje, Hilli ka thënë se iniciativa rajonale “Ballkani i Hapur” mund të ndihmojë në uljen e tensioneve dhe thotë se nuk ka dyshim se zgjatja e tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të jetë e dëmshme për rajonin, gjë që, siç theksoi ai, mund ta shfrytëzojnë “lojtarët” e tjerë.