Abdixhiku në takim ambasadorin Hovenier: LDK-ja do t’i kujdestarojë relacionet strategjike me ShBA-në
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka bërë me dije se me ftesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka vizituar të mërkurën këtë pari, ku është pritur në takim nga Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë.
Me këtë rast, ambasadori Hovenier ka thënë se opozita e përgjegjshme politike luan një rol kritik në shoqëritë demokratike. “Me ftesë të lidershipit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pata një diskutim të mirë me zyrtarët e LDK-së për një sërë prioritetesh të përbashkëta. Opozita e përgjegjshme politike luan një rol kritik në shoqëritë demokratike”, ka shkruar ambasadori amerikan në llogarinë e vet në “Twitter”.
Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se me ambasadorin Hovenier kanë biseduar për temat me interes nacional për Kosovën dhe partneritetin strategjik të vendit me ShBA-në. “Me theks të veçantë, në këtë sesion u shtruan temat e proceseve integruese të Kosovës, dialogut të fasilituar nga BE-ja, zhvillimit ekonomik e energjetik të Kosovës, qeverisjen e mirë, reformat në drejtësi si dhe partneritetin për mbrojtje e avancim të FSK-së. Duke e falënderuar ambasadorin Hovenier për mbështetjen që ShBA-ja i kanë dhënë Kosovës në të gjitha etapat historike, shpreha përkushtimin e LDK-së për avancimin e partneritetit jetik që Kosova ka me ShBA-të. Shpreha qartë qëndrimin e LDK-së se Kosova duhet të marrë përgjegjësitë e saj në avancimin e agjendës euroatlantike dhe marrjes së vendimeve me interes nacional për vendin. LDK-ja do të kujdestarojë relacionet strategjike me ShBA-në në të gjitha etapat e ardhshme zhvillimore të Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e vet në “Facebook”, duke shtuar se ambasadori Hovenier ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e administratës amerikane për të mbështetur Kosovën në sfera jetike të vendit.