Ambasadori amerikan u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës të vaksinohen
Në Kosovë sot ka arritur kontingjenti i parë i vaksinave “Pfizer”, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky kontingjent prej 35.100 dozash të vaksinës kundër Covidit, është në kuadër të donacionit prej mbi 500.000 vaksinave që SHBA-ja do të dhurojë për Kosovën, përmes programit COVAX, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave për shtetet e varfra.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të vaksinohen, pasi theksoi se vetëm së bashku mund ta mposhtim Covid-19.
“Shumë njerëz ende besojnë se vaksina është e panevojshme ose nëse janë infektuar dhe i kanë mbijetuar Covidit, që nuk do të sëmuren sërish. Kjo thjeshtë nuk është e vërtetë, veçanërisht në vazhdën e rritjes dramatike të rasteve të shkaktuara nga varianti Delta. Prandaj, ju lutemi, vaksinohuni për të mbrojtur veten, familjet dhe komunitetin tuaj”, ka thënë Kosnett.