Ambasadori amerikan: Vështirë të them se jemi afër shtensionimit në veri
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se e ka të vështirë ta thotë se janë afër arritjes së një zgjidhje për situatën në veri, përkundër takimit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me emisarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Pas pjesëmarrjes në një aktivitet në Pejë, ambasadori amerikan para gazetarëve ka theksuar nevojën edhe të zbatimit të plotë të marrëveshjes bazë.
“Do të thosha që ShBA-ja mbetet e përkushtuar siç ka qenë gjithmonë që ta shohë Kosovën duke arritur qëllimet e veta. Ajo që dua të them është se ne jemi prapa një Kosove sovrane, të pavarur, multietnike dhe demokratike që zë vend në strukturat evropiane e euroatlantike. Po bëjmë punë të madhe për këtë. Kjo po ashtu nënkupton që Kosova ta ushtrojë sovranitetin e saj. Veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe mënyra se si Qeveria e Kosovës menaxhon situatën është shumë e ndjeshme dhe duam të jetë shumë e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë që të shmangen momentet e krizës që pengojnë rrugën tonë të gjatë për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, ka thënë ai.
Më tutje, ai ka refuzuar të flasë për caktim afatesh për shtensionimin e situatës në veri, por ka thënë se e sheh me urgjencë këtë çështje.
Po ashtu, Hovenieri ka thënë se ShBA-ja nuk do të flasë më shumë se ajo që ka thënë KFOR-i për rastin e tre policëve të Kosovës, që janë kidnapuar nga forcat serbe.
Për sanksionet e mundshme ndaj Serbisë, Hovenieri ka thënë se duhet të flasë ambasadori amerikan në Serbi ose emisari i ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar. Megjithatë, ai ka vlerësuar se “nuk është Kosova e vetmja përgjegjëse për tensionet”. Sidoqoftë, ai ka thënë se ka pasur shqetësime për disa nga veprimet e qeverisë në fund të majit.
Ai ka thënë se frika e qytetarëve në veri është konkludim që Qeveria të punojë për shtensionim më të shpejtë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi të hënën ka zhvilluar një takim të paparalajmëruar me emisarin e Bashkimit Evropian (BE), Miroslav Lajçak në Bratisllavë, ka u tha se patën “bisedime intensive”.
Bislimi dhe Lajçaku është thënë se janë pajtuar për hapat e parë që duhen bërë për shtensionimin e situatës në veri.
“Jemi pajtuar për hapat e nevojshëm për të siguruar shtensionim efektiv të situatës dhe të bazuar në ligj dhe për përqendrim në normalizimin dhe zbatimin e sundimit të ligjit”, ka shkruar Bislimi në “Twitter” pas takimit me Lajçakun.
Ndërsa Lajçaku ka thënë se me Bislimin kanë zhvilluar “bisedime intensive”, duke konfirmuar dakordimin.
“Kemi biseduar për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e shteteve anëtare të BE-së më 3 qershor, dhe për mënyrën përpara për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog. Jemi pajtuar për hapat e parë drejt arritjes së këtij qëllimi”, ka shkruar Lajçaku në “Twitter”.