Ambasadori amerikan: Votimi për transformimin e FSK-së, historik
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Philip Kosnett, e ka quajtur historik votimin e nesërm të tri ligjeve me të cilat Kuvendi i Kosovës do ta nisë procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Twitter”, ka shkruar se ShBA-të do ta mbështesin zhvillimin profesional dhe evolucionin organizativ të FSK-së.
“Votimi i nesërm për tranzicionin e FSK-së është historik për Kosovën. SHBA-të do ta mbështesë zhvillimin profesional dhe evolucionin organizativ të FSK-së, e cila duhet të luajë një rol pozitiv për Kosovën dhe rajonin, duke reflektuar karakterin shumetnik të vendit dhe përkushtimin e popullit të Kosovës për paqe”, ka shkruar Kosnett.
Ambasadori amerikan ka thënë se seanca e nesërme e Kuvendit të Kosovës dhe ceremonia e FSK-së duhet të jenë raste për reflektim solemn dhe ripërkushtim për paqe, stabilitet e prosperitet për Kosovën dhe fqinjët e saj. “Tani është koha për të gjithë liderët dhe faktorët ta fokusojnë energjinë në dialog”, ka deklaruar ambasadori Kosnett.
/Epoka e re/