Ambasadori Bajrami: Kosova e informoi BE-në disa herë për sulmin në Banjskë
Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka reaguar ndaj zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, që tha se Kosova nuk ka dorëzuar raport për sulmin në Banjskë.
Bajrami përmes një shkrimi në “X”, ka bërë të ditur se Kosova disa herë e ka informuar BE-në për sulmin në Banjskë.
Ai ka renditur të gjithë raportet që kanë dërguar në zyrat e BE-së menjëherë pas sulmit si dhe muajve të tjerë.
Postimi i plotë i Bajramit:
Për rekord:
– Më 24 shtator, ditën e sulmit, Bajrami thotë se janë dërguar informacione urgjente për sulm terrorist. Dokumenti kishte dy faqe.
– Dy ditë më vonë, më 26 shtator, është dërguar dokumenti 12 prej 12 faqesh me informacion fillestar.
– Më 28 shtator është dërguar dokumenti 10 faqor me informacione faktike, teksa më 9 tetor është dërguar kopje fizike e gjetjeve preliminare, dokument ky prej 46 faqesh, që i është dorëzuar delegacionit të EEAS-it.
– Më 18 tetor, Bajrami thotë se gjetjet u janë dërguar të gjitha shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s.
-Më 20 tetor, raporti preliminar (51 faqe) iu dërgua BE-së, NATO-s dhe të gjitha shteteve të tyre anëtare. Gjatë dhjetorit 2023 dhe gjatë periudhës janar-shkurt 2024, u ndanë versionet e përditësuara të raportit. Informacionet e përfshira në këto dokumente janë faktike, të vërtetuara dhe bindëse përtej dyshimit të arsyeshëm.