Ambasadori Braathu premton përkrahje për AGK-në
Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina është pritur të premten në një takim pune nga udhëheqësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu.
Kryetarja Begolli-Pustina e ka njoftuar ambasadorin Braathu me zhvillimet e fundit në AGK dhe strukturën e saj të re e dalë nga Kuvendi i fundit zgjedhor.
Më tej, kryetarja Begolli-Pustina e ka informuar ambasadorin Braathu me aktivitetet dhe projektet aktuale të AGK-së dhe planet e synimet për të ardhmen.
Në takim u kërkua intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet AGK-së dhe misionit të OSBE-së dhe realizimi i aktiviteteve të përbashkëta që lidhen me sigurinë e gazetarëve, gazetarinë hulumtuese dhe avokimin e lirisë së shprehjes.
Nga ana e tij, ambasadori Braathu ka përgëzuar edhe një herë kryetaren Begolli-Pustina për detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin që misioni i OSBE-së të përkrahë fuqishëm punën dhe angazhimet e AGK-së.
Ambasadori Braathu e çmoi lartë rolin e organizatave profesionale dhe të pavarura në zhvillimin e demokracisë dhe shpalosi disa nga mundësitë e bashkëpunimit dhe përkrahjes për AGK-në.
/Epoka e re/