Ambasadori britanik dhe ai francez takojnë Kurtin, flasin për Specialen
Deputeti i Vetëvendosjes, njëherit kandidat për kryetar të kësaj partie, Albin Kurti ka takuar ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell dhe atë të Francës, Didier Chabert.
Në takimin, që ka ndodhur dje pasdite në selinë e VV-së, me diplomatët francez dhe britanik, Kurti bashkë me nënkryetaren e VV-së, Fatmire Muhaxha-Kollçaku dhe shefin e grupit parlamentar, Glauk Konjufca kanë biseduar rreth iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
“Në këto takime u diskutua për situatën politike në Kosovë, me theks të veçantë, për iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës. Të dy ambasadorët shprehën brengosjen e tyre të thellë për këtë mundësi”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Në këtë takim, Kurti, Mulhaxha-Kollçaku dhe Konjufca kanë përsëritur qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje mbi padrejtësinë dhe dëmin që shkakton Gjykata Speciale, por edhe për mungesën e seriozitetit dhe sinqeritetit të kësaj iniciative.
“Sidoqoftë, iniciativa tash ka ndryshuar formën dhe shpejtësinë pasi që ajo do të vije si Projekt-Ligj i qeverisë e jo më si nismë e deputetëve në Kuvend. Përfaqësuesit e Lëvizjes thanë që VETËVENDOSJE! do ta përcjell me shumë vëmendje këtë proces dhe se Kryesia me Grupin Parlamentar do t’i diskutojnë të gjitha elementet për ta marrë vendimin e duhur në kohën e duhur”.
“Të dy ambasadorët treguan që gjatë muajit janar nuk do të marrin pushime dhe do të qëndrojnë tërë kohën në Kosovë”, thuhet me tutje në njoftimin e VV-së.